Tre zyrtarët e lartë të RTK-së, Mentor Shala, Mustafë Mustafa dhe Erzen Këpuska janë larguar nga puna.
Gjatë ditës është raportuar se bëhet fjalë për nënshkrim të një kontratë retroaktive, përmes së cilës, Mustafë Mustafa do të përfitonte pagë më lartë.
Megjithatë, këto pretendime i mohoi njëri prej të apostrofuarve, Mentor Shala, i cili për Nacionalen ka thënë se për ta vërtetuar kush ka falsifikuar, do ta vërtetojë policia, që është duke e hetuar rastin.
Tutje, ai shtoi se për dallim prej palës tjetër, nuk flet dhe pret verdiktin ligjor.
“Se kush ka falsifikuar sigurisht do të vërtetohet nga policia e cila po e heton rastin. Unë nuk kam dëshirë të flasë, për dallim prej palës tjetër, derisa hetuesia e kryen punën e saj”, tha fillimisht Shala.
Veç kësaj, ai pohoi se kjo masë është marrë nga Shkumbin Ahmetgjekaj, Drejtori Gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, është e paligjshme sepse ata e kanë kryer masën e suspendimit.
“Sa i përket masës që e ka ndërmarrë Shkumbini është e paligjshme, sepse ne e kemi kryer masën e suspendimin, pra sot pas gjashtë muajve. Cila është arsyeja pra e shkëputjes së kontratës?”, vazhdoi ai.
Në fund fare, Shala hodhi akuza ndaj Ahmetgjekajt e Besnik Boletinit, duke thënë se kjo është hakmarrje ndaj tij, të cilën si të tillë e vlerëson vepër penale.
“Këtë sigurisht që kanë me na kallxu në gjykatë Shkumbini e Besnik Boletini. Shkurt e shqip është hakmarrje ndaj meje. E hakmarrja është vepër penale mes tjerash”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Shkumbin Ahmetxhekaj u zgjodh në krye të RTK-së, tash e shtatë muaj më parë. Ahmetxhekaj do ta ushtrojë mandatin për tre vite, teksa fitoi në garën e brendshme me 8 vota për, 1 abstenim dhe pa asnjë kundër.