Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala i cili garon me numrin 16 në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka vizituar sot kullën-muze të Ahmet Delisë, raporton GazetaDemos.
Gjatë kësaj vizite, Shala u shoqërua nga pasardhësi i tij Adem Ahmeti, vizitë e cila tha se i shërbeu për “energji e frymëzim për të ardhmen më të mirë dhe me shpresë”.
“Në kullën-muze të Ahmet Delisë, i shoqëruar nga Adem Ahmeti, pasardhësi i tij, i cili më mikpriti me shumë bujari. Në këtë kullë historike, në gjurmët e lavdisë, duke nderuar të kaluarën heroike të popullit tonë për t’u mbushur me energji e frymëzim për të ardhmen më të mirë dhe me shpresë.
Shqiptarët ndër dekada e shekuj kanë luftuar për liri. Kurrë në Drenicë e në Kosovë nuk ka pushuar pushka për liri. Nuk vinte një pranverë pa dëshmorë. Krejt kjo sakrificë shekullore kulmoi dhe triumfoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nuk do të ngadhënjente sikur të mos ishte fara e mbjellur që nga Ahmet Delia dhe brezi i tij heroik”, thuhet në njoftim.