Pas tërheqjes së shortit për edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll, i cili do në nis më 21 gusht, kryetari i FFK-se ka njoftuar se në sezonin e ri edhe në Kosovë do të nis aplikimi i sistemit VAR dhe po ashtu pritet kthimi i shikuesve në tribuna.
Postimi i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi në Facebook:
Ky edicion garues do të ketë shumë avancime e realizim të projekteve. Superliga do të avancojë me sistemin VAR, një projekt ky gjigant, të cilin kemi arritur ta instalojmë në kohë rekorde në futbollin tonë.
Po ashtu, ky edicion do të nisë edhe me digjitalizim të sistemit, rregullore të reja dhe avancime në edukim. Në prag të kampionatit të ri, FFK u ka qëndruar sërish afër klubeve, duke i ndihmuar për t’u përgatitur sa më mirë si në aspektin organizativ, edhe në atë sportiv.
Tani jemi në fazën e vazhdimit të marrëveshjes për transmetimin e Superligës, derisa po punojmë që edhe Liga e Parë, e cila nga viti në vit po bëhet më interesante të jetë pjesë e platformës televizive dhe ta ketë vëmendjen e teleshikuesve.
Sot, klubet e Superligës e Ligës së Parë mësuan orarin e garave të edicionit të ri dhe me këtë rast dua t’u uroj shumë suksese, teksa futbollistëve edicion pa lëndime dhe me ngritje të cilësisë.
Në kampionatin e ri besoj se nuk do të kemi kufizime dhe tifozët do t’u kthehen stadiumeve për t’iu dhënë përkrahje e motiv shtesë ekipeve të tyre të zemrës, duke e bërë garën shumë më joshëse dhe spektakolare.
Po ashtu, uroj që klubet tona pjesëmarrëse në garat evropiane të kenë sa ma shumë sukses, në mënyrë që në edicionin e ardhshëm ta kemi edhe ekipin e katërt në garat e UEFA-s.
Me respekt,
A.A.