Grimerja dhe frizeri i famshëm kosovar “Sellma e Kaci”, duket se kanë probleme me ligjin në Kosovë.
Klientet e tyre kanë qenë duke u vëzhuar nga kamerat që kanë të instaluara brenda, e që për këtë veprim që nënkupton edhe mbledhjen e të dhënave personale të tyre, “Sellma e Kaci” nuk kanë marrë leje nga askush.
Këtë e ka konfirmuar shteti.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka konstatuar se të dyja këto bizneste kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi që përmes kamerave të vendosura brenda lokaleve kanë bërë mbledhjen e të dhënave të klientëve.
Sipas ligjit në Kosovë, në kontekstin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë së individit, vëzhgimi me kamerë nënkupton marrjen dhe ruajtjen e të dhënave vizuale ose të tjera nga vendet e
vëzhguara, ku personat fizikë lëvizin, përmes sistemit të instaluar të vëzhgimit me kamerë.
Agjencia pasi ka konstatuar se këto dy biznese po veprojnë në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që t`u ndalohen kamerat brenda lokaleve, shkruan Gazeta Insajderi.
Rrjedhimisht ata kanë marrë urdhër nga ky insitucion, që t`i asgjësojnë edhe të dhënat e mbledhura, pra përmes incizimeve me kamera.
“Urdhërohet ”Studio Sellma” SH.P.K, Arbëri – Prishtinë, të ndaloj përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, si dhe… të bëjë shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë deri me datën e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Agjencisë.
“Urdhërohet “Kaci” SH.P.K, të bëjë shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë deri me datën e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Këto dy biznese janë urdhëruar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi që brenda afatit prej 8 (tetë) ditëve nga pranimi i vendimi të ndërmerr të gjitha veprimet e duhura për zbatim të këtij vendimi dhe të njoftoj Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Agjencia për Informim dhe Privatësi, gjatë trajtimit të rastit ka gjetur se ”Studio Sellma” SH.P.K, ka të instaluar sistemin e vëzhgimit me kamerë në hyrje dhe në brendësi të biznesit, për të cilin nuk ka nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë.
“Dhe nuk ka informuar personelin në mënyrën e duhur në formë të shkruar për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe për të drejtat e tyre”.
Sipas Agjencisë, bazuar në faktet e sipërpërmendura, ”Studio Sellma” ka përpunuar të dhënat personale në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke mos nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe duke mos i njoftuar në mënyrë të duhur me shkrim personat që punojnë nën vëzhgimin me kamerë.
Ky insitucion edhe gjatë kontrollimit në lokalin e “Kaci” SH.P.K, ka vërtetuar se ka të instaluar sistemin e vëzhgimit me kamerë në hyrje dhe në brendësi të biznesit.
Për këtë veprim të tij, sipas agjencisë Kaci nuk ka nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë, si dhe nuk ka informuar personelin në mënyrën e duhur në formë të shkruar për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe për të drejtat e tyre.
“Bazuar në faktet e sipërpërmendura “Kaci” SH.P.K, në cilësinë e kontrolluesit, ka përpunuar të dhënat personale në kundërshtim me Ligjin, duke mos nxjerrë vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë dhe duke mos i njoftuar në mënyrë të duhur me shkrim personat që punojnë nën vëzhgimin me kamerë”, thuhet në vendim.
Agjencia për Informim dhe Privatësi deklaron se sipas Ligjit përcaktohet se për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë, “duhet merret vendim nga nëpunësi kompetent, drejtori ose ndonjë person tjetër i autorizuar nga sektori privat, i cili vendim duhet të përmbajë arsyet për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë”.