Arnold Schwarzenegger ka postuar një video-mesazh në Twitter duke nxitur rusët që të shtyjnë kundër narrativës pro-luftës që prezantohet nga qeveria ruse.
Në videon prej 9 minutash, Schwarzenegger flet për dashurinë e tij për Rusinë dhe rikujton udhëtimet që ka bërë atje gjatë karrierës si bodybuilder.
Ylli i filmave dhe ish-guvernatori i Kalifornisë i thotë qytetarëve rusë “se nuk po u tregohet e vërteta rreth pasojave të luftës” dhe informon ata se “bombat po hidhen ndaj civilëve të pafajshëm”.
Pasi liston disa sulme ruse në qytetet ukrainase, Schwarzenegger thotë se si rezultat i krizës humanitare nga pushtimi i Vladimir Putin, “Rusia është izoluar nga shoqëria e kombeve”.
Ylli i “Terminator” përfundon mesazhin e tij duke lavdëruar mijëra protestues rusë të arrestuar nga policia javët e fundit, duke u thënë atyre “bota e ka parë trimërinë e tyre” dhe se i sheh ata si heronj.