SBASHK-u, përmes një letre drejtuar sot Avokatit të Popullit, ka deklaruar se greva në arsim nuk është cenim i së drejtës në arsimim.
Përveç kësaj në letër thuhet po ashtu se nuk mund të ketë cenim në ushtrim të ligjshëm të së drejtës për grevë.
“Nuk mund të mos shprehim befasinë tonë që përballë situatës aktuale kur ka organizim të ligjshëm sindikal, mos fillimin e procesit mësimor në shkolla. Ju e kualifikon si cenim të së drejtës së fëmijëve në arsimim. Me gjithë respektin, nuk mund të pajtohemi me një konstatim të tillë sepse, njëkohësisht nuk mund të ketë cenim të së drejtës në arsimim dhe ushtrim të ligjshëm të së drejtës për grevë”.
Në letër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës i ka kërkuar Avokatit të Popullit që në vend se ta konstatojë grevën si cenim të së drejtës për arsimim, ta trajtojë çështjen e cenimit të drejtës për grevë.
“Do të ishte më e mirëseardhur që të trajtoni dhe shtroni çështjen e cenimit të të drejtës në grevë e cila po manifestohet në forma të ndryshme, si kërcënimet, presionet, shantazhet e deri te linçimet, përçarjet dhe sulmet individuale ndaj përfaqësuesve sindikalë e aq më tepër deri te dënimi i mësimdhënësve duke u krenuar se do t’ua ndalim pagën vetëm pse kanë zgjedhur të ushtrojnë një të drejtë që ua garanton Kushtetuta”, thuhet më tej në letër.
Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht. Mësimdhënësit dhe grevistët e tjerë po kërkojnë ndër të tjera 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga i cili ditë më parë ka dalë në diskutim publik.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje të dielën SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës që të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.
Në një komunikatë për media të Avokatit të Popullit thuhet se të dielën ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se është e gatshme të bisedojë për çështjet e prekura nga Avokati, ndërsa është në pritje të përgjigjes nga sindikatat.