Ish-avokati i popullit, Sami Kurteshi, ka reaguar ashpër ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke e akuzuar atë se nuk mbrojt gazetarët, por se ka shndërruar në një “Aleancë të Grupeve Kriminale”.
Kurteshi pretendon se AGK po viktimizon individë që, sipas tij, janë “kriminelë të mbështjellur me velon e gazetarit” dhe se shqetësimi i vërtetë i tyre nuk ka të bëjë me rrezikimin e gazetarëve apo lirinë e medias, por me mungesën e kontrollit mbi diskursin publik.
“Halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale,” ka shkruar Kurteshi.
Postimi i plotë:
Reagim në reagimin e AGK sot
Komenti im:
AGK që moti ka pushuar të jetë mbrojtëse e gazetare/ëve.
Që moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale (AGK).
Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”.
Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese.
Askush, në asnjë rast, nuk i përfillë, ashtu siç kërkojnë me ngulm, e lëre më t’i rrezikojë.
Halli i sojit e sorollopit të tyre nuk është as rrezikimi, as pengimi, as “gjuha fyese”, as kërcënimi, as cenimi i “sigurisë së gazetarëve” e as i “lirisë së medias”.
Halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale.
Brenga e shqetësimi i tyre thelbor është se narracioni i tyre kriminal e vrastar nuk po arrin të krijojë diskurs publik. Kaq!
Për AGK nuk ka respekt!
Poshtë!
#AleancaeGrupeveKriminale