
Salih Mustafa ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Strasburgut për shkelje të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Mustafa ishte ankuar edhe në Kushtetuese të Speciales. Ani pse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, njohësit ligjorë vlerësojnë që Strasburgun duhet sfiduar, pasi gjykimi është mbajtur në Holandë, shtet anëtar.
Deri më tani Gjykata e Strasburgut nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për ankesat që janë bërë edhe nga ish pjesëtarët e UÇK-së të cilët kanë paraqitur ankesë të tillë.Salih Mustafa, i dënuar me 15 vite burg, nga Gjykata Speciale, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Strasburgut, për shkelje të të drejtave të njeriut. Për Televizionin Publik, këtë e ka konfirmuar mbrojta e komandant Calit.
Ankesa për këto shkelje Mustafa ia kishte drejtuar në vazhdimësi Speciales. Në shtator të vitit të kaluar, Mustafa dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Speciales, me theks në cenimin e të drejtave të tij elementare si individ, të garantuara me ligj dhe me standarde ndërkombëtare.
Kërkesa ishte bërë kundër një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila kishte refuzuar dhe hedhur poshtë disa pika të ankesës së tij. Përmes Kushtetueses, Mustafa ka kërkuar që padia e tij të shpallet e pranueshme dhe rasti të kthehet në rigjykim. Megjithatë, ai dhe mbrojtja e tij kanë shkuar edhe më tej, duke e dërguar çështjen në Strasburg për ta sfiduar vendimin dhe adresuar shkeljet e tjera që ata pretendojnë se janë bërë.
Dilemat nëse kanë të drejtë të ankohen në Strasburg të akuzuarit dhe të dënuarit që nuk kanë shtetësi të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, nëse shkeljet janë bërë në shtetin e Holandës, derisa konsiderohet që kjo Gjykatë është e Kosovës, ish kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, vlerëson se gjykata Strasburgut duhet të sfidohet.
“Avokatët do të duhet të sfidojnë Strasburgun me kërkesa edhe nëse hudhen paraprakisht pa u lëshu në meritë si të papranueshme për shkaktë legjitimitetit aktiv, për shkak se nuk jemi anëtarë të Këshillit të Evropës. Është gjykatë e Kosovës por nuk është gjykuar në Kosovë, është gjykuar në Holandë që është anëtare e Këshillit të Evropës. Nuk mund të thuash meqenëse me ligj është gjykatë e Kosovës është gjyku në Kosovë. Në rregullat e brendshme e kam pa diku ku shkruan, të gjithë ata pavarësisht se shtet e tyre a janë anëtarë të Këshillit të Evropës kanë të drejtë të adresojnë kërkesa në Gjykatën e Strasburgut nëse janë gjykuar në vendet nëse janë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme
Në anën tjetër, për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, ka reaguar publikisht në vazhdimësi OVL e UÇK-së, edhe përmes protestave të hapura.
Sipas OVL-së, shkeljet janë të rënda dhe sistematike“Me familje të ngushtë nuk ke të drejtë të rrish në dhomë, përpara ka qenë me nejtë në shomë me familje, dera mbyllun , me fëmijë me bashkëshorten me vëllaun, apo kush ka ardhur në vizitë tash jo, derën hapur , përkthyesi brenda vetëm me këta të tre, vizita është bërë 40 minuta”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar OVL e UÇK-së
Për shkelje të të drejtave të njeriut, Specialen në Strasburg e ka paditur edhe Nasim Hadadinaj.