Sulmuesi i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti ende nuk ka vendosur se cilin shtet ta përfaqësojë në arenën ndërkombëtare në nivelin senior, Kosovën apo Shqipërinë. Në një intervistë për mediumet kroate, Sahiti ka pranuar se është në pritje të një ftese, qoftë nga Kosova apo Shqipëria.
Mirëpo, ka insistuar se ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Ai deri më tani, ka luajtur për gjeneratat e reja të Shqipërisë. Me U19 ka një paraqitje, ndërsa me U21 ka shënuar dy gola në dhjetë ndeshje.
“Nuk e di ende. Nuk më kanë kontaktuar as nga Shqipëria, e as nga Kosova. Jam duke pritur se si do të shkojnë gjërat. Normalisht, nëse me vjen ftesa, po mendoj kush thërret i pari, më duhet të vendosi”, ka thënë Sahiti. “Me të vërtetë nuk e di akoma. Duhet të flas me menaxherin, se çka është më mirë për mua, dhe të shoh se ku më rreh zemra. Unë e dua Shqipërinë dhe Kosovën normalisht, ne jemi vëllezër. Kur Kosova nuk ishte një shtet i pavarur, ne të gjithë brohorisnim për Shqipërinë, ëndërronim të luanim për Shqipërinë. Tani që Kosova është këtu, ne ndiejmë të njëjtën gjë. Ne të gjithë jemi nga i njëjti gjak, shqiptarë”.
Sahiti 22-vjeçar këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në shtatë paraqitje për Hajdukun në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Hajdukun deri në vitin 2025 kurse sezonin e shkuar ishte i huazuar te Shibeniku.