Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë nga Bosnja dhe Hercegovina se tri dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit, kjo aleancë mbetet fort e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë së këtij rajoni
” Unë kam tri mesazhe kyçe që dua t’ua përcjell të gjithëve, por njëri është më i rëndësishmi. Para së gjithash, NATO është e vendosur fort ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. NATO mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ai pas një takimit që pati me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljko Cvijanoviq, Denis Beçiroviq dhe Zheljko Komshiq.
Ai foli edhe për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke iu referuar veçanërisht krizës së shkaktuar nga veprimet e autoriteteve në Republikën Sërpska. raporton Kilx.ba.
“Marrëveshja e Paqes së Dejtonit është gurthemeli i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet. Ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Çdo aktivitet që cenon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues ose institucionet shtetërore është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet ndezëse janë të rrezikshme, pasi ato përbëjnë një kërcënim të madh për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës, ju duhet ta bëni këtë, ky ishte mesazhi im kryesor – ky vend po shikon kah ju të tre”, iu tha ai anëtarëve të kësaj presidence.
Zyrtari i lartë i NATO-s mes tjerash konfirmoi se Aleanca Veri-Atlantike do të qëndrojë pranë Bosnjës në rast të përshkallëzimit.
“Sigurisht, kam shqetësime për situatën e sigurisë, por ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë një vakum sigurie. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i përkushtuar të vazhdojë mbështetjen tonë të fortë, si përmes EUFOR-it ashtu edhe NATO-s. E di që EUFOR-i është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në BiH së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë”, tha ai.
Pas Sarajevës, shefi i NATO-s vjen për vizitë në Kosovë ku të martën do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.