Rusia shprehu “keqardhje të thellë” të martën për sulmet më të reja ajrore izraelite në Gaza dhe tha se dënon çfarëdo veprimi që çon në vdekje të civilëve.
Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se mbi 400 njerëz ishin vrarë nga ajo që ushtria izraelite e quajti “ofensivë parandaluese” kundër militantëve të Hamasit, të cilët ende po mbajnë 59 pengje izraelite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Moska mori vesh me keqardhje të thellë për përtëritjen e operacionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës” – tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Rusisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të kthehen në bisedime.
“Siç tregon përvoja, është e pamundshme që të zgjidhet çështja e lirimit të pengjeve përmes forcës. Rusia dënon fuqishëm çfarëdo veprimi që çon në vdekjen e civilëve dhe në shkatërrimin e infrastrukturës shoqërore” –thuhet më tej në deklaratë.
Kremlini tha se është i shqetësuar për “një spirale tjetër të eskalimit”.
“Posaçërisht shqetësuese, natyrisht, janë raportimet për viktima të shumta në mesin e popullsisë civile” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ne jemi duke e vëzhguar situatën shumë për së afërmi dhe, natyrisht, po presim që ajo t’i kthehet rrjedhës paqësore” – shtoi ai