Lajme

Rubin: Thaçi s’kishte autoritet të diktonte asgjë, thjesht pasqyronte vendimet që merreshin në Kosovë

Duke folur për ish-Presidentin Hashim Thaçi, James Rubin tregoi se në takimet në Rambuje, ai nuk kishte autoritet për të vendosur për asgjë por vetëm pasqyronte vendimet që merreshin në Kosovë.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, tha se Thaçi duhej të merrte leje, pasi vetë nuk e kishte mundësinë që të vendoste.

“Nuk e kishim kuptuar qartë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por ne e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e fshehur e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup. Ai duhej ta merrte lejen prej tyre dhe ai vetë nuk e kishte mundësinë. Nuk ishte në gjendje që të diktonte rregulla dhe kushte. Ai duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepej miratimi”, tha Rubin.

Rubin tha se e bindën delegacionin e Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht ta shpëtonin popullin.

“Përshtypja ime për Thaçin ishte se ai vetëm pasqyronte vendimmarrjen. Kështu që kur shumica vendos që të përqafonte NATO-n dhe perëndimin, pjesa tjetër e ekstremistëve humbën. Ai ishte pasqyrimi i lëvizjes udhëheqëse të asaj kohe dhe jo udhëheqësi”, tha ai.

Ndërsa, për Qeverinë e Përkohshme, Rubin tha se do të duhej një autoritet civil në Kosovë në qershor të 1999-ës.

Veç kësaj, Rubin tha e ishte kërkuar që mos të përmendej se kishte mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button