Lajme

Rubin: Çdo mëngjes dërgohesha në male për t’u takuar me Hashim Thaçin

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka treguar se kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë në qershor të vitit 1999, ku çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin. Ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ish-sekretarja e Shtetit, Madeliene Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është dëshmitar i parë i mbrojtjes.Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Diplomati amerikan, James Rubin tha se ishte kthyer në Kosovë në qershor të vitit 1999, për të marrë pjesë në “negociatat që kishin të bëjnë me de-militarizimin e UÇK-së”.

Para trupit gjykues, ai tha se ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë, duke i thënë që “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën”.

“Unë isha zëdhënësi i zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha ‘ndalo së bëri çdogjë që t’i po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, duhet të shkosh atje në mënyrë të tillë që të ndihmoni Mike Jackson që të realizojë betimet e veta dhe po ashtu sigurohu që Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen. Kjo është arsyeja pse shkova në rajon”, tha ai.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tregoi se gjatë asaj periudhe kishte qëndruar në një hotel në Shkup dhe se çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin.

“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase tri ose katër ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, kam qëndruar në një hotel në Shkup, në Maqedoni dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së. Pra, çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty”.

Back to top button