Qytetarët e Kosovës e kanë humbur të drejtën e tyre ligjore për kompensim për faturat e rrymës që kanë paguar në emër të banorëve të katër komunave veriore, nga viti 1999 deri më 2012.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për kthim borxhi ose dëme të shkaktuara mund të bëhen në mënyrë retrospektive për vetëm pesë vjet – në të kundërtën, afati ligjor për ushtrimin e kësaj të drejte skadon.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohojnë të njëjtën gjë, duke thënë se, bazuar në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, qytetarët e kanë humbur tashmë të drejtën e kompensimit për faturat e paguara për 13 vjet.
Nga 1 qershori i këtij viti do të nisë kompensimi i tyre vetëm për faturat e paguara nga viti 2012 deri më 2017 – proces ky që do të zgjasë deri në vitin 2030.
Disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Prishtinë shprehen të zhgënjyer me faktin që s’do të kenë kompensim për faturat që paguan nga viti 1999 deri më 2012.
“Ti paguan për diçka që ke përdorur. Diçka që nuk ke përdorur, nuk ke nevojë ta paguash”, thotë Muhamet Ahmeti.
“Të më thuash se ‘unë ty po të sjell drejtësi’, e cila nuk është drejtësi, sigurisht se e ndjen veten të fyer. Kjo nuk është drejtësi”, thotë ai.
“Ata 13 vjet nuk zhbëhen kurrë”, thotë Drita Mengjiqi.
“Ne jemi të shkelur dhe të drejtat tona janë shkelur. Ne jemi të plaçkitur prej shtetit”, shprehet ajo.
Hanumshahe Ibrahimi thotë se shkelja e të drejtave të qytetarëve, në një mënyrë, është përligjur, sepse nuk ka as mundësi ankese.
“Unë nuk shoh adresë për ankesë. Gjykatat po shkojnë shumë ngadalë… unë nuk shoh adresë”, thotë ajo.
Artikullin e plotë mund ta lëxoni në këtë link