Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit Rrustem Mustafa-Remi ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap ka qenë në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mustafa në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, tha se në atë kohë ka marrë vendim që të komunikojë me të gjitha subjektet politike.
“Kam marrë vendim që të flas me subjektet politike në atë kohë. LDK-ja jo vetëm në Podujevë por në gjithë regjionin e Prishtinës ka pasur komunikim të saktë me kryetarët e LDK-së të degëve që quheshin në atë kohë. Kanë qenë të gjithë ata të drejtuar për të ndihmuar dhe me u vu ndihmë ushtarëve të UÇK-së”, theksoi ai.
Komandat Remi potencon se të gjitha subjektet politike si dhe organizatat joqeveritare kanë qenë në shërbim të UÇK-së, teksa thotë se me gjithë udhëheqësit e cilësdo parti ka pasur komunikim të mirë.
“Mund them lirisht që gjithë subjektet politike, shoqatat, organizatat joqeveritare si “Nëna Terezë”që atëherë ka qenë shumë funksionale në vendin tonë. Të gjitha kanë qenë në shërbimin tonë dhe kanë ndihmuar me gjitha kapacitetet e tyre. Me të gjithë udhëheqësit në regjionin e Prishtinës që kanë qenë të cilitdo subjekt unë personalisht kam folur me ta dhe jemi kuptuar shumë mirë dhe jemi renditur gjithë në rrugë për lirinë e vendit”, deklaroi Mustafa.