Ministri i Financave, Hekuran Murati ka publikuar një grafikon që sipas tij tregon “rritjen më të madhe ndonjëherë të pagave në sektorin publik”, e që siç thotë ai ka ndodhur në Qeverinë Kurti. Ministri Murati thotë se buxheti për pagat e rregullta i miratuar nga qeveria paraprake, për vitin 2021 ishte 625.8 milionë, e që ai thotë kur e krahason me atë të vitit 2025 është 916.8 milionë, Ministri shton se i bie që është rritur për 291 milionë.
Gjatë qeverisë Haradinaj, Ministri Murati thotë se shpenzimi i buxhetit për paga ishte rritur për vetëm 66 milionë, dhe se sipas tij shumica e kësaj rritje kishte shkuar për paga të kabinetit qeveritar, të gjyqtarëve e prokurorëve, dhe se pagat ishin rritur vetëm 4 për qind për zyrtarët publikë.
Ai përmend edhe qeverinë Mustafa, kur Ministër ishte Avdullah Hoti, dhe thotë se PDK dhe LDK del të jetë qeveria me rritjen më të vogël të pagave, 64 milionë euro.
“Ata para nesh patën rritur buxhetin për paga për 130 milionë euro (64+66) për 6 vite qeverisje, kurse ne efektivisht e kemi rritur buxhetin e pagave të rregullta për 291 milionë euro për vetëm 4 vite”, shkruan Murati në Facebook.
“Pra, Qeveria Kurti ka rritur buxhetin për paga, e rrjedhimisht edhe pagat, më shumë se dyfishi i rritjes që kanë bërë para nesh dy qeveritë bashkë: PDK-LDK dhe PDK-AAK-Nisma. Jemi qeveria e vetme që ka rritur pagat 3 herë brenda mandatit”, shkruan mes tjerash Ministri Murati.
Gjithë këtë e ka quajtur propagandë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se po e provon një gjë të tillë një Ministër që i ka rritë pagat për sektorin publik në 6 euro e 80 cent.
Ajo i drejtohet Muratit se “qytetarët e dinë se kujt ia ke rritë rrogën 45 për qind”, duke përmendur kështu Kryeminisrin, ministrat e zëvendësminitrat.
“Ministri, që i ka rritë pagat në sektorin publik 6 euro e 80 cent brenda një mandati dhe 55 euro pasi janë shpallë zgjedhjet, sot paska provu prapë me propagandë.
Qytetarët e dinë kujt ja ke rritë pagën 45%, nëse ka harru dikush që po ua rikujtoj: 45% Hekurani ia ka rritë pagën Albinit, vetës, zavëndëskryeministrave, ministrave, zavëndësministrave, këshilltarëve politikë, asistetëve të kabineteve dhe shoferave të tyre”, shkruan mes tjerash Bajrami në Facebook.
Në reagimin e saj, deputetja thotë se përveç asaj që zyrtarëve publik u është rritur paga 6.80 euro, qytetarëve i është dyfishuar tatimi në pronë, gjithashtu edhe çmimi i energjisë elektrike si dhe ai i produkteve bazë të konsulmit.
“Zyrtarëve publik ju ka rritë pagën 6 euro e 80 cent, a të gjithë qytetarëve ju ka dyfishu tatimin në pronë, ju ka dyfishu çmimin e energjisë elektrike dhe ka kqyrë seri derisa çmimet e produkteve bazë të konsumit kanë fluturu në qiell dhe për këtë të fundit mos del me thanë se s’të ka lënë opozita e Gjykata Kushtetuese me bë diçka, sepse ju ka përgenjeshtru kryetarja e Gjykata Kushtetuese znj. Gresa Caka. Thjeshtë të kanë lëverdisë çmimet e larta se ke marrë shumë më shumë buxhet pa i rritë normat tatimore”, shkruan ajo.
“Në këtë fushatë veç nëse mundeni me bë diçka me këndim e recitim se rezultate s’keni, andaj merrja këngës edhe ti sikur Arbëria se kurrë si dihet ku e keni të fshehur talentin!Zyrtarët publik me 9 shkurt do të votojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, numrin 124. Me qeverisjen e LDK-së, koeficienti i pagave do të bëhet 150 Euro, që në javën e parë”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook.