Në Kosovë po vazhdon rritja e çmimeve në sektore të ndryshme, derisa sot njëra nga linjat e autobusëve për relacionin Gjakovë-Prishtinë dhe anasjelltas, ka njoftuar se çmimi i biletës do të rritet, shkruan GazetaDemos.
Sharr Travel përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se bileta vajtje Gjakovë – Prishtinë nga 4 euro do të bëhet 5 euro.
Në lidhje me këtë në mesin e shumë qytetarëve, të pakënaqur janë shprehur edhe studentët.
Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga organizata joqeveritare “Lëvizja Studentore Jakova (LSJ)”, të cilët kanë thënë se e kundërshtojnë këtë vendim.
“Një biletë vajtje për intervalin Gjakovë – Prishtinë nga sot është 5€. KOHA PËR AKSION”, thuhet në njoftim.
GazetaDemos ka kontaktuar me njërin ndër themeluesit e kësaj organizate, i cili tha se janë kundër këtij vendimi dhe shumë shpejtë do të ndërmerret diçka në lidhje me të.
“Jemi duke i bashkërenduar aktivitetet, së shpejti do të dalim me një njoftim zyrtar. Çka mundemi me tregu deri tani është se ky çmim është i pa pranueshëm dhe do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet”, tha Etnik Blyta nga LSJ.
Në anën tjetër, studentja nga Gjakova, Floriana Alija, e cila ndjek studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se shtrenjtimi i biletës mund të jetë dëmtim i jashtëzakonshëm për studentët.
“Unë si studente e kam të vështirë me udhëtu çdo javë Prishtinë – Gjakovë, veç biletes Prishtinë – Gjakovë dhe anasjelltas unë duhet me pagu edhe një biletë tjeter 1€ sepse jetoj në fshat”, tha ajo për Gazetën Demos.
Tutje ajo tha se nga aspekti i udhëtimit, për studentët është më lirë të studiojnë në Maqedoni se në Kosovë.
“Bileta kthyese për Maqedoni është 8 euro, studentëve që udhëtojnë po ju del më lirë të studiojnë jashtë shtetit se brenda shtetit”, u shpreh studentja e Universitetit të Prishtinës.
Lidhur me shtrenjtimin e biletave, kanë reaguar edhe nga Organizata Studentore “Paqja Studentore”, të cilët gjithashtu janë kundër këtij vendimi.
“Paqja Studentore kundërshton rritjen e çmimit të biletave të autobusit për relacionin Prishtinë-Gjakovë dhe anasjelltas. Rritja e çmimit të biletës nga 4 euro në 5 euro, është e papërballueshme për studentët, sidomos për studentët që udhëtojnë çdo ditë”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës së Transportit të Udhëtarëve në Gjakovë, Kadri Rrahmani, në një intervistë për një media lokale ka thënë se nga nesër pritet të rrisin çmimin e biletës së autobusit të gjitha linjat Gjakovë – Prishtinë.
“Si shoqatë nuk është marrë një vendim i tillë akoma, mirëpo disa linja sot kishin fillu. Ne si shoqatë nuk mund ta obligojmë asnjërin, secila firmë ka plotikat e veta, secila firmë punon për interesat e veta, dmth është e pavarur si në rritjen apo zbritjen e çmimeve”, ka bërë të ditur ai.
Për më shumë se katër vite çmimi i biletave të autobusëve për linjën Gjakovë-Prishtinë dhe anasjelltas ka qenë 4 euro, derisa për dallim nga linjat tjera, nuk ka pasur zbritje për studentë./GazetaDemos