
Një përleshje mes disa personave është raportuar mbrëmjen e kaluar në rrugën “Lekë Dukagjini” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e kryeqytetit, Enis Pllana, ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi se rasti është paraqitur rreth orës 22:30, ndërsa njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendngjarje.
“Policia ka intervenuar menjëherë, ku pesë persona janë shoqëruar në stacion policor. Personat që kanë pësuar lëndime kanë marrë tretman mjekësor”, tha Pllana.
Ai shtoi se, pas konsultimit me prokurorin e rastit, dy nga të përfshirët janë ndaluar dhe do të qëndrojnë në mbajtje për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.