Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova mund të kursejë deri në 55 milionë euro në vit, duke iu bashkuar Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA-s).
Sipas Rohdes, përfituesit nga anëtarësimi i Kosovës në SEPA janë diaspora, përfituesit e remitancave e partnerët tregtarë, duke forcuar kështu, sipas tij, ekonominë e Kosovës.
“Arritja e kësaj kërkon më shumë integrim ekonomik me rajonin dhe Bashkimin Evropian”, tha Rohde.
Pjesë e diskutimit “Bashkimi në Sistemin SEPA – Përfitimet ekonomike për Kosovën” ishte edhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi.
Përmes një postimi në platformën X, ai tha se gjatë këtij diskutimi theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në SEPA “si një hap i mëtejmë drejt integrimit në familjen evropiane”.
Tutje, gjatë këtij diskutimi, Bislimi nënvizoi punën që po zhvillohet në lidhje me miratimin e tri ligjeve të domosdoshme, ai për bankat, për shërbimet e pagesave dhe ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
“Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se edhe Banka Qendrore e Kosovës ka draftuar 20 rregullore që ndërlidhen me SEPA, të cilat pritet të kalojnë për miratim pas aprovimit të këtyre ligjeve në Kuvendin e Republikës”, thuhet në njoftimin e qeverisë