Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është deklaruar pas takimit të djeshëm me presidenten Vjosa Osmani.
Përmes një reagimi në platformën X, Rohde tha se ka ngritur shqetësimin e tij për bllokadën e vazhdueshme politike dhe institucionale në vend.
Ai po ashtu theksoi se diskursi publik i kohëve të fundit, që hedh dyshime mbi vendimet e gjykatave, paraqet rrezik për besimin e qytetarëve në pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.
“Falënderoj zonjën Presidente për diskutimin e mirë. Në takim shpreha shqetësimin për ngërçin politik e institucional, si dhe diskursin publik që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, zhvillime këto që rrezikojnë të dëmtojnë besimin e qytetarëve në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, shkroi Rohde.