Pas shpalljes së rezultateve të testit PISA, ku Kosova u rendit tek katër të fundit, ka reaguar Rron Gjinovci, duke e quajtur si katastrofë arsimore në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Gjinovci është shprehur se në rezultatet e PISA 2022, Kosova ka shënuar rënie si nga rangimi ashtu edhe në performancë.
“Në vitin 2018 morën pjesë 74 vende dhe Kosova renditej e 72-ta ku 66% e nxënësve shënonin performancë të dobët, ndërkaq në vitin 2022 morën pjesë 80 vende dhe Kosova renditet e 79-ta pra e parafundit, ku 72.9% të nxënësve shënuan performancë të dobët”, ka shkruar ai
Tutje, Gjinovci ka shtuar se analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht dhe se numri i nxënësve që nuk kuptojnë leximin, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022.
“Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”, ka shtuar ai.
Gjinovci në fund ka shkruar se ORCA shpreson që këto rezultate ta këndellin Kryeministrin e Republikës dhe Qeverinë e tij, ndonëse nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë duke pasur parasysh orientimin e Qeverisë, e cila nuk konsiston në reforma radikale, por vetëm në fasadë që në ditë si kjo shembet para syve tanë.
Në një tjetër reagim, Gjinovci ka bërë thirrje që dikush të lajmërojë Rrahman Jasharajn që ka qenë shumë “i sukseshëm” në rritjen e numrit të analfabetëve nga 78% në 83%.
“Lajmrone dikush Rrahman Jasharajt që ka qenë shumë i suksesshëm në rritjen e numrit të analfabetëve nga 78% në 83%, përmes sabotimit të arsimit”, ka shkruar ai.