Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Ylber Jasharit, menaxherit të kontratës dhe Bekim Baftjaraj, personi përgjegjës i kompanisë ndërtuese “NBT-ING” për rastin e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës. Nga rënia e këtij objekti kishte pësuar lëndime një vajzë, teksa dëmet në buxhet ishin të përllogaritur 36,450 euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se Jashari akuzohet për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës, Jashari “ka vepruar në atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14”.
“…duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, për biznesmenin Baftjaraj është akuzuar për veprën penale “punime ndërtimore të kundërligjshme”.
Sipas aktakuzës, Baftjaraj ka punuar jashtë standardeve profesionale duke kryer punë tjera dhe jo ato që parashiheshin në kontratë.
Prokuroria kërkon që dy të pandehurit të kompensojnë dëmin material në shumën prej 36,450 eurosh.