Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar qytetarët e Kosovës, që vetëm edhe këtë jave kanë kohë që të kryejnë procesin e regjistrimit të popullsisë.
Murati ka thënë se me këtë regjistrim do të dihet saktë sa pensionistë jetojnë në Kosovës, por edhe sa fëmijë nën moshën 16 vjeçare, sipas tij do të dihet edhe madhësinë e familjes mesatare, si dhe shumë të dhëna tjera demografike.
“Kushdo që ende nuk është regjistruar, duhet ta bëjë këtë. Regjistrimi i popullsisë do të vazhdojë edhe javën në vijim, deri me 17 maj. Me këtë regjistrim do ta dijmë saktë se sa pensionistë jetojnë në Kosovë, por edhe sa fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Do ta dijmë edhe madhësinë e familjes mesatare, si dhe shumë të dhëna tjera demografike”, ka shkruar Murati.
Ai tutje ka thënë se pensionet, shtesat e fëmijëve, politika sociale, buxheti komunal e shumë të tjera varën nga ky vendim.
“Pensionet, shtesat e fëmijëve, politikat sociale, buxhetet komunale e shumë vendime e politika tjera do të varen nga ky regjistrim i popullsisë.” – ka shkruar Murati.
“Nëse nuk regjistroheni, praktikisht nuk do të ekzistoni në statistikat e shtetit. Prandaj është e domosdoshme që secili prej nesh të regjistrohet në mënyrë që të kemi të dhëna të sakta dhe të mund të bëjmë politika më të mira”, ka përfunduar ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka bërë të ditur se në javën e pestë të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, janë regjistruar 1,204,560 qytetarë.
Kësisoj kanë mbetur edhe pak takime deri tek të dhënat preliminare.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar me 05.04.2024 dhe vazhdon deri më 17.05.2024.
Regjistrimi po bëhet trembëdhjetë vjet pas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë.
Këtë herë, procesi po zhvillohet me disa ndryshime. Ai po zhvillohet edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.
Me ligj, secili qytetar duhet të regjistrohet dhe të ofrojë të dhëna të sakta. Vetëm në dy pyetje që ju parashtrohen, kanë të drejtë të mos përgjigjen, ato për religjionin dhe etninë.
Kushdo që e bojkoton procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.