Emilija Redžepi është rizgjedhur kryetare e Nova Demokratska Stranka (NDS) në Kongresin e 5-të të rregullt të partisë, që u mbajt me pjesëmarrje të gjerë të delegatëve dhe mysafirëve të shumtë.
Në përfundim të procesit zgjedhor të brendshëm, delegatët i dhanë sërish besimin Redžepit për të udhëhequr partinë edhe për një mandat të ri, shkruan IndeksOnline.
Në fjalimin e saj pas rizgjedhjes, Redžepi falënderoi delegatët për mbështetjen dhe theksoi se ky mandat i ri është një obligim i madh për të vazhduar me më shumë forcë dhe përkushtim angazhimin për të drejtat dhe përfaqësimin e denjë të qytetarëve boshnjakë në institucionet e vendit.
“Mbështetja juaj më obligon që edhe më fuqishëm të vazhdoj luftën për interesat e qytetarëve tanë, për një komunitet më të fortë, më të drejtë dhe më të lirë,” deklaroi Redžepi.
Ajo shtoi se NDS do të mbetet një zë i fuqishëm i qytetarëve, një forcë e ndryshimit dhe një garantues i përfaqësimit autentik të komunitetit boshnjak në politikën kosovare.
Në ceremoninë solemne të kongresit morën pjesë edhe figura të ndryshme politike dhe shoqërore, të cilët me praninë e tyre theksuan rëndësinë që po fiton NDS në skenën politike të vendit.