Real Madrid nuk ndalet në merkato, synon transferimin e Denzel Dumfries
Real Madridi po planifikon lëvizje të rëndësishme në merkato dhe ka vënë në shënjestër dy emra të njohur të futbollit evropian: Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit madrilen po punojnë për transferimin e të dy lojtarëve, duke u bazuar në skenarin që Florentino Perez do të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale të klubit
Në qendër të mbrojtjes, objektivi kryesor është Ibrahima Konate. Mbrojtësi francez pritet të largohet nga Liverpooli si lojtar i lirë pas skadimit të kontratës së tij më 30 qershor, çka e bën atë një mundësi shumë tërheqëse për Real Madridin.
Klubi spanjoll beson se përvoja dhe cilësitë e tij mund të forcojnë ndjeshëm repartin defensiv për sezonet e ardhshme.Ndërkohë, për krahun e djathtë të mbrojtjes, madrilenët kanë identifikuar Denzel Dumfries si objektivin kryesor. Holandezi i Interit ka qenë prej kohësh në radarët e Real Madridit, ndërsa kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur.
Dumfries ka një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh, shifër që konsiderohet e përballueshme për gjigantin spanjoll. Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se kushtet personale me futbollistin nuk pritet të paraqesin pengesa, duke rritur shanset që marrëveshja të konkretizohet në muajt e ardhshëm.