Komuna e Prishtinës ka dalë me një reagim pas publikimit të videos ku asamblisti i VV’së, Gëzim Sveçla, shihet duke i dëmtuar pajijset në sallën e Kuvendit Komunal.
Në reagim thuhet se komuna “dënon ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë”.
Komuna shton se ky akt është “goditje brutale ndaj vlerave institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve”.
“Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta, jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve.”
Komuna i ka akuzuar asamblistët e VV’së se kanë bllokuar iniciativat në të mirë të qytetarëve.
“Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët.”
Më tutje thuhet se VV sot e demaskoi veten “duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve”.
“Sot, Vetëvendosje e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve. Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik. Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike. Institucionet nuk janë fushëbeteja të interesave të ngushta politike, por baza mbi të cilën qëndron mirëqenia e qytetarëve. Veprime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike.”