Kryeministri britanik Keir Starmer u bëri thirrje të gjitha palëve që të “ulin menjëherë tensionet” dhe tha se stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë një përparësi.
“Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci”, tha Starmer në një deklaratë.
Në një reagim të ashpër, Sekretari i Jashtëm Britanik, David Lammy, e përshkroi situatën si një “moment të rrezikshëm” në një postim në Platformën X.
“Stabiliteti në Lindjen e Mesme është thelbësor për sigurinë globale. Përshkallëzimi i mëtejshëm është një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe nuk është në interesin e askujt”, tha Lammy.
Pamjet dhe videot që kanë shpërndarë agjencitë ndërkombëtare paraqesin sulmin e Izraelit ndaj Iranit, me goditje të objektivave të rëndësishëm në Teheran dhe pjesë të tjera të vendit.
Izraeli ka nisur një sulm të gjerë ndaj Iranit, duke synuar dhjetëra objektiva, përfshirë objektet bërthamore të Iranit.
Në një deklaratë për mediat, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka theksuar se sulmi ka për qëllim “zvogëlimin e kërcënimit iranian ndaj mbijetesës së Izraelit” dhe ka njoftuar se operacioni mund të vazhdojë edhe për ditë të tjera.
Ai gjithashtu sugjeroi se operacioni mund të jetë i gjatë dhe i vështirë, duke paralajmëruar se “qytetarët izraelitë mund të detyrohen të qëndrojnë në zona të mbrojtura për periudha të gjata kohore”.