Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka reaguar për sulmin e mbrëmshëm ndaj komunës që ai udhëheq, derisa ka thënë se është sulm i organizuar terrorist.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se akte të tilla kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do t’ia dalin dhe se institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve të tilla.
Postimi i tij i plotë:
Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist.
Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.
Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë.