Rasti i raportuar si rrëmbim i një vajze të mitur në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, i cili ishte denoncuar në Policinë e Kosovës më 21 maj rreth orës 00:45, ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë.
Sipas njoftimit të Policisë, denoncimi fillestar pretendonte se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të panjohur dhe më pas ishte liruar pas rreth një ore. Gjatë incidentit, nëna e vajzës, në përpjekje për ta parandaluar ngjarjen, kishte pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas pranimit të informacionit, njësitë hetimore të stacionit policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ndërmorën veprime të menjëhershme dhe intensive hetimore.
“Përdorimi i kapaciteteve teknike dhe profesionale, bashkë me analizat e detajuara, çoi në konstatimin përfundimtar se rrëmbimi nuk kishte ndodhur dhe rasti në fakt përbënte një kallëzim të rremë.”, ka thënë policia.
Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive ligjore.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe njëherësh ka apeluar për shmangie të deklarimeve dhe veprimeve mashtruese. Ajo inkurajon që rastet të raportohen me përgjegjësi, duke theksuar se çdo informacion trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm të plotë