Rama takohet me komandantin e Forcave Detare të SHBA-së: Shqipëria po rilind industrinë ushtarake

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë dhe Afrikë, Admirali Stuart B. Munsch.
Në këtë takim është diskutuar për hapat konkretë të Shqipërisë për ringjalljen e industrisë ushtarake, avancimin e projekteve të Korridorit VIII dhe zhvillimin e Portit të Ri të Durrësit, shkruan rtsh.al.
“Në takimin me Komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch, në kuadër të hapave që Shqipëria po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake, si edhe për ecurinë e projekteve të Korridorit VIII dhe Portit të Ri të Durrësit”, shkruan Edi Rama në rrjetin e tij social, në Facebook.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili thekson se është diskutuar për modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përparimi i projektit të Korridorit VIII, një arterie e rëndësishme infrastrukturore që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Korridori VIII konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë rajonale, duke lehtësuar tregtinë, transportin dhe bashkëpunimin ushtarak mes vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tjerë.
Projekti synon të rrisë ndërveprimin ekonomik dhe ushtarak mes vendeve të rajonit, duke e bërë Shqipërinë një nyje të rëndësishme logjistike në Ballkan.