Rama i LDK-së me dy letërnjoftima? (VIDEO)

Përparim Rama, pak javë pasi u zyrtarizua si kandidat i Lidhjes Demokratike për kryetar të Prishtinës, u pajisë me dokumente të Republikës së Kosovës.

Por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk kanë shkuar për certifikim të dhënat e letërnjoftimit të ri të arkitektit nga Londra.

Në dokumentin e brendshëm që posedon Klan Kosova, të cilin KQZ i ka dërguar LDK-së, thuhet se atij i figuron numri personal i dokumentit të lëshuar nga UNMIK.

Rama mohon se kjo është e vërtetë, duke thënë se ka mundur të ndodhë ndonjë gabim teknik.

Gabim teknik, lajmërimin e KQZ-së për të, e quajti edhe kolegia e Ramës, Sibel Halimi.

Ajo në një përgjigje për televizionin, mohoi të mos jetë banore e Ferizajt, qytetit ku garon për kryetare.

Si LDK-së, kësi lajmërime për gabimet në aplikacionet për certifikim, u kanë shkuar edhe partive tjera, por të cilat nuk janë bërë publike.

Pa komentuar raste specifike, në KQZ thonë se janë në komunikim me subjektet në lidhje me përmirësimin e këtyre lëshimeve.

Reklama