Qytetari thyen xhamin e autobusit të Trafikut Urban pasi nuk u lejua të futej pa maskë

Një qytetar ka thyer xhamin e njërit prej autbuesave të linjës 4 të Trafikut Urban në Prishtinë.

Siç ka njoftuar Trafiku Urban, i njëjti nuk ishte lejuar që të qëndronte në autobus pa maskë mbrojtëse kundër COVID-19.

“Me datë 22.08.2021, autobusi i “Trafikut Urban” i Linjës 4 i cili ka qenë me qytetarë duke qarkulluar në destinacionin nga parku i Gërmisë në drejtim të qytetit është sulmuar nga një qytetar i pa ndërgjegjshëm i cili pasi që nuk është lejuar të qëndroj në autobus pa maskë i revoltuar ka dalur nga autobusi duke e goditur autobusin dhe si pasojë ka ardhur deri  tek thyerja e xhamit, shqetësimi i qytetarëve si dhe stafit të autobusit”, thuhet në njoftimin e Trafikut Urban.

Kjo Ndërmarrje Publike Lokale ka kërkuar që rastet mos të përsëritën ndërsa kanë thënë se masat kundër pandemisë COVID-19 do të vazhdojnë të aplikohen.

“Të shqetësuar rreth këtij rasti, dënojmë ashpër këtë sulm dhe të gjitha sulmet vandale të këtij lloji që janë duke u rritur gjatë kësaj kohe pandemie.  Kërkojmë që rastet e tilla mos të përsëriten më dhe sulmuesit të dalin para drejtësisë. Në autobusët e TU do të vazhdohet të respektohen masat kundër Covid-19 dhe apelojmë te të gjithë qytetarët të bartin maskat dhe të mbajnë distancë gjatë udhëtimit në linjat e TU”, thuhet në fund të njoftimit.

Reklama