Quni: Vizitat në SHBA nuk mjaftojnë për rikthimin e dialogut strategjik, duhen veprime konkrete
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka komentuar vizitat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ato përbëjnë një mundësi të mirë për të rikonfirmuar angazhimin e Kosovës ndaj vlerave të përbashkëta me SHBA-në.Sipas tij, një vizitë e vetme nuk është e mjaftueshme për të rikthyer plotësisht dialogun strategjik me Uashingtonin, por mund të shërbejë si katalizator për rindërtimin e besimit të ndërsjellë.
“Vizitat shërbejnë si një mundësi direkte për të rikonfirmuar angazhimin e Kosovës ndaj vlerave dhe interesave të përbashkëta me SHBA-në. Vizitat me çasje racionale mund të ndihmojnë në shkrirjen e akullit për mosmarrëveshjet kohët e fundit. Një vizitë më vete rrallë e “rikthen” dialogun strategjik plotësisht. Ajo shërben si një katalizator dhe një hap i parë në rindërtimin e besimit”, tha Quni.Ai shtoi se është thelbësore që pas këtyre vizitave të ketë veprime konkrete në terren, veçanërisht në drejtim të stabilitetit rajonal dhe zbatimit të marrëveshjeve.
Quni theksoi se suksesi i këtyre përpjekjeve do të matet nga angazhimi i qëndrueshëm i institucioneve të Kosovës për të forcuar partneritetin me SHBA-në.“Veprimet në terren pas vizitave janë ato që vërtet përcaktojnë rikthimin. SHBA-ja do të kërkojë veprime konkrete dhe të vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, sidomos në lidhje me stabilitetin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve. Vizitat kanë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv në tentativën për të normalizuar dhe intensifikuar marrëdhëniet, por suksesi i tyre matet nga angazhimi pasues i të dy palëve”, tha Quni për GazetaBlic.