Quni: E konsiderojmë koalicionin edhe me VV-në, nëse shohim reflektim të liderëve politikë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se as pas zgjedhjeve potenciale të parakohshme nuk mund të krijohet një qeveri nga një parti. Ai ka theksuar se bazuar në numra, që as LDK-ja nuk i ka, “nuk është e mundur” një gjë e tillë.
Quni ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me secilën parti politike, edhe me Vetëvendosjes, por ai ka tërhequr vërejtjen se liderët politikë duhet të kenë kujdes me fjalorin.
“Nuk besoj që ndonjë parti do ta ketë atë mundësi që me forcat e veta ta krijojë qeverinë e radhës. Do të kemi nevojë që sërish të ulemi, të bashkëbisedojmë. Duke pasë parasysh situatat që do krijohet, liderët duhet ta kenë në konsideratë fjalorin, performancën, çfarë ambienti, klime krijojnë që pas rezultateve zgjedhore të krijojmë mundësitë të bashkëbisedojmë dhe të shohim për ndonjë qeveri”, u shpreh ai.
Quni ka shtuar më tej se partia e tij do të “vëzhgojë” performancën e të gjithë liderëve politikë.