Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka theksuar se mosmarrëveshja e vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbetur një sfidë kryesore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në një njoftim për media, QKSS thekson se në dritën e ngjarjeve të fundit, përfshirë sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, i cili vuri në pah nevojën për një zgjidhje të qëndrueshme, është e domosdoshme të ecim përpara me zbatimin efektiv të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (APN).
“Përkundër marrëveshjes fillestare verbale në Bruksel në shkurt të vitit 2023, presidenti serb Vuçiq refuzoi të nënshkruajë APN-në dhe e ka minuar vazhdimisht marrëveshjen në daljet e tij publike, duke e bërë shumë më të vështirë dhe sfiduese ndërtimin e një momentumi për zbatimin e saj. Përveç kësaj, dështimi për të arritur marrëveshje për një plan veprimi për zbatimin e APN-së në mars të këtij viti në samitin e Ohrit, e ndërlikoi më tej procesin dhe rriti tensionet”, thuhet në njoftim.
QKSS thekson se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, pret që Kosova të ndërmarrë hapat e nevojshëm për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë (ASM) dhe që Serbia të ndërmarrë veprime konkrete drejt njohjes de facto të pavarësisë së Kosovës.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha se “në qendër të mosmarrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se sillen rreth renditjes së veprimeve për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe prandaj QKSS propozon një sekuencë alternative të veprimeve për të përmbushur pritjet e të gjitha palëve të përfshira në dialogun e normalizimit. Kjo perspektivë alternative fokusohet në zbatimin e balancuar dhe realist të APN-së, duke adresuar shqetësimet si të bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe të Kosovës.”