Irani i ka kërkuar Qipros t’i përcjellë “disa mesazhe” për Izraelin, tha të dielën presidenti qipriot, Nikos Christodoulides.
Christodoulides theksoi se do të bisedojë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, më vonë gjatë ditës.
Ai nuk sqaroi se nga kush saktësisht vinin mesazhet apo çfarë përmbanin ato.
Paraprakisht, ministri i Jashtëm qipriot dhe homologu i tij iranian, zhvilluan një bisedë të premten në mbrëmje.
Christodoulides tha gjithashtu se është i pakënaqur me reagimin, siç e përshkroi ai, të ngadaltë të Bashkimit Evropian ndaj krizës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.
Qiproja, si shteti anëtar i BE-së që ndodhet më së afërmi Lindjes së Mesme, kishte kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, tha ai.
Raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit ishin të dukshme nga vende të ndryshme të Qipros të premten dhe të shtunën në mbrëmje.
“Nuk është e mundur që BE-ja të pretendojë rol gjeopolitik, t’i shohë të gjitha këto zhvillime dhe të mos ketë të paktën një mbledhje të Këshillit të Ministrave të Jashtëm”, tha Christodoulides për gazetarët.
Qiproja ka ofruar ndihmë për evakuimin e shtetasve të palëve të treta nga rajoni dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprime që mund të përshkallëzojnë konfliktin.