Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të 268-të në mënyrë elektronike, ku ka marrë disa vendime në fusha të ndryshme.
Kabineti qeveritar ka vendosur të vazhdojë mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut deri më 15 tetor 2025.
Po ashtu, është miratuar plotësimi dhe ndryshimi i Statutit Nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Në fushën e bujqësisë, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rialokim të mjeteve buxhetore në vlerë prej 105 mijë eurosh, për të mbuluar obligimet financiare për projekte kapitale.
Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtimin e zyrës regjionale për Inspektoratin e AUV-it në Ferizaj dhe në Gjakovë.
Gjithashtu, me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është aprovuar rritja e kufirit të shpenzimeve në shumën prej 580,780 euro për financimin shtesë të projektit “Kadastri i patundshmërisë dhe infrastruktura gjeohapësinore”.
Po për këtë projekt, Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 372,100 euro, të siguruara nga fondet e huamarrjes.