Që nga themelimi i Gjykatës Speciale, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë kundërshtuar ashpër themelimin e saj.
Veterani i UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdon të besojë se Gjykata Speciale nuk do të sjellë drejtësi. Këtë deklaratë ai e ka bërë në RTV Dukagjini.
Ai pohon se asnjë nga krimet e pretenduara nga kjo gjykatë nuk është kryer nga zyrtarët e lartë të UÇK-së.
“Nuk besoj për arsye se krerët nuk kanë pasur fare kohë për t’u marrë me këtë pjesë që po akuzohen, janë marrë me organizimin e luftës me organizimin e njësiteve në terren, e dimë si ka qenë komunikimi, ka munguar komunikimi gjithë ditën është dashur të presim të kemi komunikim mes vete me njësi të tjera”, ka thënë ai.
Që nga themelimi i saj, Qeriqi pretendon se Specialja ka folur me qindra ish-ushtarë të UÇK-së, shumë prej të cilëve, sipas tij, ende nuk janë në dijeni të qëllimit të intervistimit të tyre.
“E shoh si lojë politike, duke pasur parasysh se kjo gjykatë i ka intervistuar me qindra luftëtare, dhe po i mban peng nuk po i njofton a janë të akuzuar a janë në cilësinë e dëshmitarit, po shihet se është lojë e tyre”, pohoi Qeriqi.