Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, janë përplasur në distancë lidhur me qarkullimin e bizneseve dhe ndikimin e çmimeve.
Murati, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të vitit 2025 ka arritur shifrën rekord prej 10.7 miliardë eurove.
Sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shifra ishte 9.7 miliardë euro. Ai ia ka atribuar këto rezultate politikave të Qeverisë.
Reagimi i Bajramit nuk ka munguar. Ajo ka theksuar se në këtë rritje ka ndikuar ngritja e çmimeve.
“Tregoni ekonomistit – interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre. Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se është e gatshme të përballet me Muratin lidhur me këto “fakte dhe koncepte”.