Rusia ka propozuar që takimi i ardhshëm me palën ukrainase të mbahet më 2 qershor në Stamboll.
Reuters raporton ekskluzivisht se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimor të zotohen me shkrim për ta ndalur zgjerimin e NATO-s në lindje.
Po ashtu, Reuters shkruan duke u thirrur në tri burime ruse se Putini ka kërkuar heqjen e një pjese të sanksioneve ndaj Rusisë.
“Putini është gati të bëjë paqe, por jo me çdo çmim”, tha një burim i lartë rus me njohuri mbi mendimin e nivelit të lartë të Kremlinit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se Rusia gjithashtu dëshiron që Ukraina të jetë neutrale, të zgjidhet çështja e aseteve të ngrira ruse në Perëndim dhe të mbrohen folësit rusë në Ukrainë.
“Burimi i parë tha se, nëse Putini e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje sipas kushteve të tij, ai do të përpiqet t’u tregojë ukrainasve dhe evropianëve me anë të fitoreve ushtarake se ‘paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme’”, shkroi Reuters.