Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës, tashmë po hyjnë në muajin e tretë të grevës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka thënë se vetëm plotësimi i kërkesave ato i kthen në punë.
Po ashtu, Azemi falenderoi nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, që lejoi grevistët të qëndrojnë brenda ndërtesës për t’i shpëtuar të ftohtit.
“Sot po hyjmë në muajin e tretë të grevës në Kuvendin e Kosovës, greva më e gjatë që e njef historia, të dyja palët nuk po lëvizin, grevistët jo se jo, vetëm plotësimi i kërkesës ato i kthen në punë. Një gjest për t’u respektuar është nga Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit, e cila nuk i la të mërdhihen në këto temperature të ftohta, por i akomodoi grevistet në ambientin e brendshëm të Kuvendit. Faleminderit Sarand, për tjerat shohim dhe vazhdojmë”, ka shkruar Azemi në Facebook.
Kërkesa kryesore e grevistëve është rritja e pagës nga 250 euro në 550 euro, një kërkesë që, deri më tani, ka mbetur e paplotësuar.