Punëtorët e larguar nga puna në Aeroport, të enjten i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ankesat e tyre kanë të bëjnë me vendimet për largime dhe me ato të gjykatave, që dallojnë nga njëra-tjetra, varësisht nga instancat. Punëtorët kanë paralajmëruar veprime më radikale sindikale në rast se Kushtetuesja nuk vendos në favor të tyre.
Rreth 100 punëtorë të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.
Të enjten, ata u ankuan në këtë institucion për largimet nga puna dhe për vendimet e ndryshme të instancave gjyqësore për ta.
“Kanë marrë vendime pozitive, ndërsa me shkuarjen në Gjykatë të Apelit punëtorët e Aeroportit kanë filluar të marrin vendime të ndryshme për raste të njëjta. Do t’i marrin pozitiv, do t’i marrin negative. Edhe kjo po na lë me dyshu që edhe gjykatësit kanë filluar me ia mbajt anën të fortit, Aeroportit. Disa gjykatës”, ka thënë Bahskim Latifi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit largimi i tyre është bërë në shenjë hakmarrjeje për grevat e mbajtura më 2019.
Ai ka paralajmëruar ashpërsim të veprimeve sindikale në rast se Kushtetuesja nuk vendos në favor të punëtorëve.
“Do të eskalojmë, do të jem ma radikal, do të radikalizojmë veprimet tona, sepse është në pyetje 100 punëtorë të Aeroportit të larguar, të vijës së parë të grevave, vetëm e vetëm pse kanë marrë pjesë në greva”, ka thënë ai.
Latifi ka thënë se gjendja e punëtorëve të larguar nuk është e mirë. Po ashtu ka thënë se edhe ata që janë duke punuar në Aeroport, po përballen me presion për shkak të veprimeve të tyre sindikale.