Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit, me pak ndryshime krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ndryshimi kryesor në listën e LVV-së është largimi i deputetëve të partisë Guxo, të cilët iu bashkuan garës me Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës. Bëhet fjalë për Jeta Statovci, Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli.
Nga Guxo në listën e LVV-së kanë mbetur Donika Gërvalla, Nezir Kraki, Fatos Geci, Triera Kasumi, Blerim Gashi dhe Valon Peci.
Në top-dhjetëshe vazhdojnë të jenë figurat kryesore të partisë, nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, te Albulena Haxhiu dhe Shqipe Selimi, e cila mban numrin 10 në listë.
Ndër emrat e rinj në listën e LVV-së janë edhe hoxha Osman Musliu dhe aktori kosovar Armend Baloku, i cili do të garojë me numrin 59.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës publikoi listën e kandidatëve më vonë se partitë e tjera, gjatë mesditës së së mërkurës.
Për dallim nga LVV-ja, PDK-ja ka ndryshuar thuajse 50 për qind të emrave në listë. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se ky ndryshim vjen si pjesë e përkushtimit të partisë për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj.
Një nga emrat më të komentuar në listën e PDK-së është Aida Dërguti, e cila vetëm pak ditë më parë iu bashkua kësaj partie.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e bashkuar në këto zgjedhje me listën e Vjosa Osmani, ka publikuar listën prej 110 kandidatëve për deputetë.
Osmani do të jetë bartëse e listës me numrin 1, ndërsa pas saj renditet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Jashtë top-10-shes kanë mbetur emra të njohur si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, ndërsa menjëherë pas tyre renditet Fahrie Hoti me numrin 13.
Pozita të mira në listë kanë marrë edhe prurjet nga Guxo, ku Albena Reshitaj renditet me numrin 7, Jeta Statovci me numrin 9 dhe Haxhi Avdyli me numrin 15.
Ndryshime ka pasur edhe në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku lideri i partisë, Ramush Haradinaj, në këto zgjedhje do të garojë me numrin 11.
Bartës i listës së AAK-së është kandidati për kryeministër, Ardian Gjini.
Edhe lista e AAK-së dominohet nga emra të rinj. Në këto zgjedhje është bashkuar edhe Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqaj, nga e cila në garë do të jenë gjashtë kandidatë për deputetë