Drejtori në detyrë i Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka treguar se sa është e rrezikuar Kosova nga varianti Delta, derisa shumë vende të botës tashmë po ballafaqohen me këtë variant të ri të COVID-19.
Vishaj gjithashtu ka folur edhe për procesin e vaksinimit dhe ka shpjeguar pse te disa persona ka reaksione pas vaksinimit e te disa të tjerë jo.
Visha ka treguar nëse vaksinat ekzistuese janë efektive ndaj variantit të ri të koronavirusit i cili ka marrë hov.
Drejtuesi i Klinikës Infektive ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen pa asnjë hezitim – si me Pfizer, ashtu edhe me AstraZeneca.
“E vetmja mënyrë që skenarët e këqija të mos ndodhin është vaksinimi i popullatës. Në vendin tonë ka filluar vaksinimi masiv, dhe qytetarët nuk duhet ta kenë asnjë hezitim. Zgjidhja më e mirë është vaksinimi dhe atë vaksinimi me të gjitha llojet e vaksinave që i kemi, sepse që të gjitha janë vaksina të mira dhe të aprovuar nga agjencionet kredibile botërore dhe janë shumë efikase”.
Ai ka thënë se vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca, me të cilat po imunizohen kosovarët, janë të sigurta.
“Është e vërtetë se ka pasë hezitim, por mendoj që me kalimin e kohës hezitimi ka filluar të zvogëlohet dhe hiqet. Janë vaksina të sigurta. Ekziston një probalitet që mund të mpikset gjaku, por nëse analizojmë ato probaliteti është i njëjtë me atë që mund të aksidentohemi derisa shkojmë në shtëpi”, tha Vishaj.