Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë Rozeta Hajdari në një konferencë për media ka arsyetuar vendimin e Gjykatës Themelore për dënimin me gjobë prej 700 eurosh ndaj saj.
Hajdari ka thënë se mosdeklarimi i pasurisë me kohë ka qenë padashje, duke arsyetuar atë me situatën me pandeminë, raporton GazetaDemos.
“Faleminderit për pyetjen, sot jam për raportin e sukseseve, por më lejoni të i’u njoftoj që ky vendim që erdhi dje nga Gjykata për këtë dispozitë ka baza për elementin e faktorit kohë që ka ikur pa dashje gjatë vitit 2020 në kohën me pandemi”, ka thënë Hajdari.
Hjadari ndër të tjera ka folur edhe për prioritetet e ministrisë gjatë vitit 2022, derisa ka listuar përmirësimin e politikave në biznese, si një prioritet të saj.
“Përmirësimi i të bërit biznes ka qenë njëri ndër prioritetet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vitin 2022 dhe për këtë qëllim kemi punuar në hartimin e politikave dhe kornizës legjislative krahas programeve përkatëse për ndërmarrjes e vogla dhe të mesme dhe agjencimin e tregut vendor”, ka thënë ndër të tjera Hajdari.
Ndryshe, ajo ka shtuar se investimet nga jashtë për vitin 2022 kanë shënuar rritje prej 43.6% më shumë në krahasim me vitin 2021, raporton GazetaDemos.