Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në barin e një hoteli në zonën e Skelës ku është sulmuar një kamarier nga një polic jashtë detyrës dhe një person me një të kaluar kriminale.
Siç duket dhe nga pamjet, dy personat i janë afruar kamarierit duke i kërkuar llogari se pse kishte çuar në tavolinë një shishe ujë më tepër se sa kishin kërkuar ndërkohë.
Sipas Top Channel, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, aktualisht jashtë detyrës, dhe Leart Bimo, një individ me precedent kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj kamarierit, vetëm për një keqkuptim të vogël në porosi.
Dëshmitarët tregojnë se fillimisht, Isufi ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe kontakt fizik ndaj të riut, ndërsa më pas dhuna ka agravuar me goditje të shumta nga ana e Leart Bimos, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e kamarierit. Ngjarja ndodhi në prani të klientëve, të cilët, të tronditur, janë larguar menjëherë, duke lënë ambientin bosh.