Avokati Ardian Bajraktari ka sqaruar pse ligji për KPM-në është i dëmshëm për demokracinë e vendit.
Në një reagim të tij, Bajraktari numëron të gjitha të mëtat e ligjit përmes së cilit Qeveria Kurti po synon t’i kontrollojë mediat online.
Avokati thotë se ligjet e tilla gjithmonë është dëshmuar se dështojnë.
”Edhe një gjë, praktika e ka dëshmuar se nismat e tilla, kaq shumë të kundërshtuara dhe me argumente, kanë rezultuar të pasuksesshme”.
Shkrimi i plotë:
Cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme për kthim në rishqyrtim të ligjeve të miratuara.
Rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media, tashmë të miratuar, krahas shumë aspekteve të diskutuara e shumë reagimeve, vlen të theksohet se me anë të këtij Projektligji, nga shumë ndryshime substanciale e që sipas vet nenit 2 të tij thuhet se i njëjti është pjesërisht në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së, d.m.th. nuk është në përputhje.
Po ashtu vlen të theksohet se është hequr mekanizmi përkatësisht Bordi i Ankesave që ishte paraparë me ligjin aktual, madje duke ja kushtuar një kapitull të tërë (kapitullin VI), ndërsa me draftin e miratuar, kjo çështje është hequr tërësisht, me çka bënë një devijim nga rregulli parimor i dyshkallshmërisë në procedurë administrative.
Me këtë nënkupton se vendimet e Komision janë përfundimtare, në procedurë administrative, dhe ato mund të goditen vetëm me padi në gjykatë.
Pra, janë vendime të ekzekutueshme, me çka palët do të detyrohen që krahas padisë të paraqesin edhe propozim për masë të përkohshme, ndryshe vendimet e KPM-së duhet të zbatojnë një veprim dhe vendim atipik, jo logjik dhe me mungesë arsyetimi legjitim për këtë ndryshim.
Nëse do të ishte logjika e zvogëlimin të numrit të të emëruarve, kjo nuk qëndron, ngase kemi rritje të numrit të anëtarëve të Komisionit nga 7 sa janë aktualisht, në 11 sa parashihen me projektligjin e ri.
Heqja e Bordit të Ankesave, nënkupton që palët t’i drejtohen gjykatës, si me padi, ashtu edhe me propozim për masë të përkohshme, e kjo nënkupton, ndër të tjera edhe ngarkesë shtesë për sistemin gjyqësor, edhe ashtu të ngarkuar.
Për më tepër, cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës, ku hynë edhe liria e mediave përmes të cilës garantohet liria dhe pluralizmi i mediave, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme përmes të cilës plotësohet standardi i përcaktuar me nenin 84 (Kompetencat e Presidentit), pika 6, sipas të cilës ndër të tjera përcaktohet se Presidenti/ja ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës.
Edhe një gjë, praktika e ka dëshmuar se nismat e tilla, kaq shumë të kundërshtuara dhe me argumente, kanë rezultuar të pasuksesshme