Provokimi ndaj Trump te Kështjella Windsor, katër të arrestuar në Londër

Katër persona janë arrestuar pas shfaqjes së fotografive të presidentit amerikan, Donald Trump, bashkë me të dënuarin tashmë të ndjerë, Jeffrey Epstein, në Kështjellën Windsor në Britani, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë do të pritet nga Mbreti Charles gjatë vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Trumpi arriti në Britani të martën vonë në vizitën e dytë shtetërore dhe do të pritet nga mbreti të mërkurën në kështjellën e famshme, e cila ndodhet jo shumë larg Londrës.
Policia britanike tha në një deklaratë se katër personat e rritur u arrestuan nën dyshimin për komunikim me qëllim dashakeq pas një “projektimi të paautorizuar” në kështjellë. Katër personat e arrestuar po mbahen në ndalim, shkruan “The Guardian”.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar bënë publike një letër për ditëlindje, të cilën Trumpi gjoja ia kishte dërguar Epsteinit para më shumë se 20 vjetëve, edhe pse Shtëpia e Bardhë e ka mohuar autenticitetin e saj.