Në të kaluarën, kemi pasur raste kur një ministre ka protestuar para ministrisë që e drejtonte vet ajo.
Ndërkaq tani, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, respektivisht dikasteri që ajo udhëheq, ka lëshuar një komunikatë, ku ka kritikuar ekzekutivin.
Në këtë komunikatë, gjegjësisht në pjesën e fundit të saj, kundërshtohet qëndrimi i qeverisë dhe partisë në pushtet.
“Propaganda nuk kalon. Sa i përket 4.2 mld. eurove për të cilat po propagandon LVV, qe dy fakte: e para, ato nuk janë vetëm për Kosovën, dhe e dyta, më e rëndësishmja, Kosova edhe më herët ka qenë pjesë e programeve të BE-së – menjëherë pas nënshkrimit të MSA-së, të cilën VV nuk e ka votuar.
MSA ka qenë parakusht që Kosova të bëhet pjesë e programeve të BE-së, por pushteti i sotëm në atë kohë as nuk i ka njoftë si në rastin e letrës së Mogherinit.
Programi i Tregut të Përbashkët (Single Market Programme) sot, është programi COSME dikur. Këtë program Kosova e ka dakordu me BE-në në vitin 2017. I njëjti është ratifiku në 2017 dhe ka hyrë në fuqi në 2018. Shihni linkun për Ligjin e Ratifikuar”, thuhet veç tjerash në komunikatë.