Në kryeqytetin shqiptar është promovuar Abetarja unike Kosovë-Shqipëri, pas promovimit të saj së pari në Gjakovë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se, së bashku me me kryeministrin Edi Rama, ministren Evis Kushi dhe ministrin Jeton Shaqiri, uruan vogëlushët shqiptarë për këtë Abetare.
“Kur flasim për Abetaren, natyrshëm na vijnë në mendje të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet, e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë.
Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar” shkroi Nagavci në Facebook.
Ajo shtoi se tani është koha për të ruajtur historinë e gjuhës e kulturës.
“Tash, të gjithë së bashku le ta bëjmë historinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës, arsimit dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona, na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor” shoti ministrja e Arsimit.